Tre skuadrat shkupjane, FC Shkupi, Rabotniçki dhe Vardari nesër ndezin motorët

Tre skuadrat shkupjane, FC Shkupi, Rabotniçki dhe Vardari prej nesër do të ndezin motorët, me qëllim që sa më të përgatitur të presin stinorin pranveror në elitën e futbollit vendor, njofton ‘infOSport.mk’.

‘Bardhekaltërit’ do të tubohen në mëngjes tek stadiumi i tyre në Çair, për të udhëtuar më pas drejt Dojranit, ku do të jenë për një javë që të fillojnë përgatitjet bazike, ndërsa më pas do të rikthehen në Shkup, ku do të kenë dy ditë të lira. Prezent në këtë grumbullim do të jetë edhe trajnerit Umit Karan, ndërsa siç mëson ‘infOSport.mk’, pjesë e këtij grumbullimi do të jetë edhe portieri Enes Azizi.  FC Shkupi nga 17 janari do të niset për në Antali, ku do të qëndrojnë për afër 20 ditë, ku në këtë periudhë do të kenë mundësi që përveç përgatitjeve të zhvillojnë edhe disa ndeshje kontrolluese.

Saktë në ora 12:00 në bazën e tyre stërvitore në Hipodrom do të grumbullohen edhe futbollistët e Vardarit, të cilët menjëherë do të vihen nën urdhërat e trajnerit Aleksandar Vasoski, ndërkohë vetëm një orë më vonë në Parkun e Qytetit, trajneri Zhikica Tasevski do të ketë takimin e parë me futbollistët e tij të Rabotniçkit, skuadër kjo që ka bërë edhe disa përforcime.

Skuadra e katërt shkupjane, ajo e Makedonija Gj.P, fazën e saj përgatitore për stinorin pranveror do ta startojë me datë 9 janar (e mërkurë).

Vlen të theksohet se që të gjitha këto 4 skuadra kanë planifikuar se fazën kryesore të përgatitjeve do ta zhvillojnë në Antalia të Turqisë.

Leave a Reply