12 muaj më parë Nishi u shtrëngua për të hequr dorë nga ky turne, për shkak të një dëmtimi në kyçin e dorës, ndërsa këtë radhë tenisti japonez tregoi një formë shumë të mirë, që kulmoi natyrisht edhe në suksesin në tre sete, në finalen e edicionit të 11-të të Brisbane-t ndaj tenistit rus.
Medvedev fluturoi shpejt e shpejt në 3-0 që në start, megjithatë Nishikori humbi vetëm 1 nga 7 game-t në vazhdim, për të mbyllur 6-4 llogaritë e setit hapës. Numri 16 i botës në krahun tjetër nuk u dorëzua aspak dhe, pasi i anuloi tenistit nipon plot 8 mundësi për break, shfrytëzoi të parin shans që iu paraqit, duke i rrëmbyer shërbimet Nishikori-t në game-n e tetë.
Në setin përcaktues tenisti më i mirë aziatik në historinë e këtij sporti e ngriti sërish nivelin e lojës, duke e thyer tre herë radhazi në servis kundërshtarin e tij dhe në fund 29-vjeçari nga Shimane mbylli gjithë takimin me rezultatin 6-4, 3-6, 6-2 në diçka më tepër se dy orë lojë.
Medvedev kërkonte trofeun e katërt në harkun e një viti, pas sukseseve në Sydney, Winston – Salem dhe Tokyo, sidoqoftë falë 150 pikëve të marra tenisti rus do të hyjë për herë të parë në karrierë mes 15 më të mirëve të botës, ndërkaq Nishikori në krahun tjetër që gjatë vitit 2018 humbi radhazi finalet në Montecarlo, Tokyo dhe Vjenë përmirësoi bilancin me 12 trofe të fituar, në 26 finale të luajtura gjithsej në karrierë.
Nishi, që në Queensland ishte mposhtur në finalen e vitit 2017 në tre sete nga Grigor Dimitrov, përfitoi përveç 250 pikëve edhe një çek prej 90.000 dollarësh, duke u bërë kështu edhe i pari tenist japonez që triumfon në Brisbane.