La Liga spanjolle do të vijojë sot me 4 takimet e radhës, të vlefshme për javën e 18-të, ku në fushë do të zbresin skuadrat kryesuese, Barcelona, Reali i Madridit, Atletiko e Madridit dhe Sevilja, ndërsa gjithçka ka nisur me ndeshjen Eibar – Viljareal, që po zhvillohet në këto momente.
Më pas në orën 16:15, do të vijë sfida më interesante e ditës, ajo midis Seviljës dhe Atletiko Madridit, skuadra këto që renditen menjëherë pas skuadrës kryesuese të Barcelonës.
‘Andaluzianët’ po kalojnë një moment mjaft të mirë dhe kanë përfituar maksimalisht edhe nga ndalesat e shumta të skuadrave pretendente, për të qenë aty mes kryesuesve, ndërsa Atletiko Madridi do të kërkojë t’i japë vazhdimësi serisë së 3 fitoreve radhazi.
Në orën 18:30, do të jetë radha e Realit të Madridit, që në ‘Santiago Bernabeu’ do të mirëpret Real Sociedadin e Adnan Januzajt, me synimin e vetëm marrjen e 3 pikëve, për të mos humbur kontaktet me kreun.
Skuadra e Solarit e nisi vitin me një barazim zhgënjyes në transfertën përballë Viljarealit, ndaj sot nuk u lejohet asnjë rezultat tjetër përveç fitores, ndonëse Sociedadi vjen pas 4 humbjesh radhazi dhe do të kërkojë reagimin.
Barcelona do të bëjë debutimin sezonal në transfertën që do të luajë në mbrëmjen e sotme përballë skuadrës së Getafes, transmeton SS.
‘Katalunasit’ vijnë pas 4 fitoresh radhazi në kampionat dhe janë maksimalisht të motivuar, për të filluar shkëputjen nga ndjekësit dhe për të mos lënë fatin e kampionatit për në periudhën finale të vitit, ku ngarkesa do të jetë më e madhe.