Barcelona ka marrë tre pikë nga transferta me Getafen, duke fituar me rezultat 2:1, me çka katalanasit vazhdojnë kryesimin në La Liga, por me 5 pikë diferencë nga vendi i dytë që mbahet nga Atletiko Madridi, pasi këta të fundit barazuan gjatë ditës së sotme me Seviljen.
Mesi dhe Suarez ishin dy lojtarët që shënuan golat për katalanasit. “Pleshti” zhbllokoi i pari takimin me një gol në minutën 20-të, ndërsa Suarez prodhoi një “perlë” të vërtetë 19 minuta më vonë që çoi shifrat në 2 – 0.
Getafe ngushtoi rezultatin me Matën, por në pjesën e dytë skuadra “blaugrana” mori sërish kontrollin e lojës. Një ndeshje e mirë edhe per portierin Ter Shtegen, i cili kreu një pritje të pabesueshme për të mbajtur skuadrën e tij në avantazh.