PSZH-ja është ende nën hetim nga UEFA mbi normat e “Fair Play-it Financiar”, por ndërkohë nuk ka ndërmend që të frenojë vrullin e saj në merkato.
Madje, dominuesit e kampionatit francez kanë vendosur që të përgatisin një ofertë të frikshme për fuqizuar skuadrën e tyre në pritje të sezonit të ardhshëm, por në të njëjtën kohë për të nënshkruar edhe hakmarrjen e tyre personale ndaj Juventusit dhe Barcelonës, pasi kundrejt tyre kanë humbur respektivisht Aron Ramzin dhe Adrien Rabiot.
Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, PSZH-ja ka vënë në shënjestër dy yjet e talentuar të skuadrës së Ajaksit, konkretisht mbrojtësin Matijs De Ligt dhe mesfushorin, Frenki De Jong, që kanë kontakte të avancuara respektivisht me Juventusin dhe Barcelonën.
Drejtuesit e skuadrës parisiene ndodhen në Amsterdam, ku do të tentojnë të mbyllin akordin me Ajaksin që në këtë sesion merkatoje, edhe atë me një shifër shumë joshëse, 150 milion euro, që mund të bindë jo vetëm Ajaksin, por edhe dy futbollistët në fjalë, të cilëve do t’u garantohet gjithashtu një kontratë edhe më e majme ekonomikisht sesa ato që kishin parashikuar ‘biankonerët’ dhe ‘katalunasit’ për De Ligt dhe De Jong.
Rikujtojmë Juventusi ofronte 50 milionë euro për De Ligtin, ndërsa Barcelona duket se e kishte mbyllur me De Jongun për 75 milionë euro.