Xherdan Shaqiri po kalon momentet e tij më të mira në futbollin anglez. Futbollisti gjilanas po shkëlqen me fanellën e Liverpullit, për të cilën skuadër në 4 ndeshjet e fundit që i ka zhvilluar, ka shënuar po aq gola, duke u shndërruar në një ndër futbollistët më të rëndësishëm te skuadra e trajnerit Jurgen Klop, shkruan ‘infOSport.mk’.
Shaqiri doli të jetë heroi i skuadrës së Liverpullit edhe në derbin e përjetshëm kundër Mançester Junajtedit në kuadër të javës së 17-të në Premierligë, kur edhe pse si zëvendësues, në fund pikërisht dy golat e tij i dhanë fitoren skuadrës nga ‘Enfilld Roud’, që tashmë numëron 8 fitore të njëpasnjëshme dhe aktualisht kryeson renditjen me 51 pikë, 6 më shumë se Totenhami i vendit të dytë.
Shaqiri gjithashtu shënoi edhe në ndeshjen e fundit kundër Njukasëll Junajtedit, të fituar nga Liverpulli me rezultatin 4:0.
Goli ndaj skuadrës nga ‘Sent Xhejms Park’ për Shaqirin ishte i 6-ti sezonal në 14 ndeshje të zhvilluara, ndërsa ai tashmë po feston edhe 160 ditëshin e kaluar te Liverpulli.
‘160 ditë’ – ka shkruar Shaqiri në ‘Instagram’, në një foto ku shihet duke pirë çaj, si shumica e shqiptarëve, pavarësisht se në çfarë vendi ndodhen.