Enis Bardhi me paraqitjet e tij të shkëlqyeshme me Levanten në La Liga, por njëkohësisht edhe me Kombëtaren e Maqedonisë në kuadër të Ligës së Kombeve, ka zgjuar interesimin e shumë skuadrave europiane, në mesin e të cilave është edhe skuadra nga Premierliga angleze, Fulhami.
Kjo skuadër nuk po kalon aspak momente të mira këtë edicion, ndërsa kriza e tyre u vërejt edhe në takimin e sotshëm ndaj Vulverhemptonit, ku morrën vetëm një barazim (1:1), që i mban ata vetëm në pozitën e parafundit në renditje.
Javë më parë drejtuesit e skuadrës nga Kevin Kotixh, shkarkuan strategun serb Slavisha Jokanoviç, duke emëruar në vend të tij italianin Klaudio Ranieri, i cili si duket do të ndërhyjë në merkaton e janarit, me qëllim stabilizimin e skuadrës.
Edhe pse drejtuesit e saj gjatë merkatos së verës harxhuan plotë 100 milion sterlina në transferime të futbollistëve, si duket përzgjedhja e ish trajnerit Jokanoviç ishte e gabuar, ndaj Ranieri, ashtu siç paralajmërojnë mediat angleze do të ketë në disponim edhe disa miliona të tjera për të përforcuar skuadrën dhe për të sjellë te Fulhami futbollistët që mendon se mund të ndihmojnë skuadrën në arrtjen e objektivit, mbetje në Premierligë.
I pari në listën e dëshirave kur janë në pyetje përforcimet, ndodhet pikërisht shkupjani Enis Bardhi. Futbollisti shqiptarë kohë më parë vazhdoi kontratën me Levanten, ashtu që në marrëveshjen mes tyre ekziston një klauzolë, sipas së cilës skuadrat e interesuara duhet të paguajnë një shumë prej 25 milion euro për blerjen e kartonit të tij, transmeton ‘infOSport.mk’.
Megjithatë nga tabori i skuadrës londineze, shpresojnë se mund të gjejnë një gjuhë të përbashkët me drejtuesit e Levantes, për një shumë prej 15 milion eurove, që marrë parasysh shumën që ka paguar skuadra nga Valencia për shërbimet e Bardhit, vërtetë është shumë e kapshme.
Rikujtojmë gjatë vitit 2017-të, Levante skuadrës hungareze të Ujpeshtit i kishte paguar vetëm 1.2 milion euro, që i bie se tashmë spanjollët brenda vetëm një viti e gjysmë mund të përfitojnë 10-fishin.
23-vjeçari Bardhi këtë edicion me Levanten në La Liga ka regjistruar 16 ndeshje dhe 1 gol, teksa sezonin e tij debutues në La Liga, në 26 ndeshje ai realizoi 9 gola, 5 prej të cilëve nga gjuajtjet e lira.