Xhengis Rexhepi: Ja si vendosa të marrë drejtimin e Llapit

Ai në një prononcim për ‘infOSport.mk’ foli se si erdhi deri te angazhimi i tij te skuadra e Llapit…

Strategu tetovar, Xhengis Rexhepi ditë më parë u zyrtarizua si trajner i skuadrës kosovare të Llapit, njofton ‘infOSport.mk’.

Është kjo aventura e dytë e Rexhepit në futbollin kosovar, duke pasur parasysh se sezonin e kaluar pati një aventurë të shkurtë te skuadra e KEK-ut. Rikujtojmë para se të pranonte ofertën e skuadrës nga Podujeva, Rexhepi ishte ndihmës trajneri i Tamer Tuna te skuadra e Sivaspor, ndërsa gjithashtu i njëjti do të vazhdojë të luaj rolin e ndihmës seleksionuesit të Maqedonisë, Igor Angellovski.

Ai në një prononcim për ‘infOSport.mk’ foli se si erdhi deri te angazhimi i tij te skuadra e Llapit, ku shpreson se bashkë me stafin teknik, do të arrijnë rezultate të mëdha.

‘Pas ndarjes me Sivasporin, ku u larguam i gjithë stafi në krye me trajnerin, Tamer Tuna, që të gjithë patëm një takim në Turqi, ku biseduam për të ardhmen. Pasi Tamer Tuna ma konfirmoi se deri në mbyllje të sezonit nuk do të drejtojë asnjë skuadër dhe se në rast të ndonjë oferte mund ta pranojë të njëjtën, vendosa që të pranojë ofertën e Llapit, edhe pse dua të potencojë se unë mbetem pjesë e stafit teknik të Tamer Tuna. Sa i përket angazhimit tim te Llapi, sinqerisht jam i lumtur që jam pjesë e kësaj familje të madhe. Premtoj se do të jap gjithçka nga vetja që në fund të arrijmë rezultate të mëdha, kuptohet në koordinimin të mirëfilltë edhe me stafin teknik, drejtuesit e klubit dhe futbollistët’ – u shpreh enkas për ‘infOSport.mk’,  Xhengis Rexhepi.

Rikujtojmë Llapi stinorin vjeshtorë në Superligën e Kosovës e mbylli në pozitën e tretë, me 35 pikë, 5 më pak se skuadra kryesuese e Prishtinës, teksa në pozitën e dytë renditet Ferronikeli me 39 pikë.

Leave a Reply