Volfsburgu i Admir Mehmedit vitin 2018-të në Bundesligë e ka mbyllur me fitore, pasi sot në ndeshjen e javës së 17-të si mysafir me rezultatin 3:2 mundi Augsburgun, njofton ‘infOSport.mk’.
Për ‘ujqërit’ ishte kjo fitorja e 5-të në 6 javët e fundit, me ç’rast stinorin vjeshtorë do ta mbyllin në pozitën e 5-të, vetëm 3 pikë larg zonës së Ligës së Kampionëve.
Ekipi i Admir Mehmedit zhvilloi një pjesë të parë të shkëlqyeshme, kur edhe bëri dallimin me dy golat e shënuar nga Xhoshua Gilavogi (33’) dhe Uiliam (41’).
Në fillimin e pjesës së dytë trajneri i Augsburgut, Manuel Baum bëri një zëvendësim të dyfishtë, dhe kjo dha rezultatin e duhur. Vetëm pas 4 minutave lojë në këtë pjesë Rani Kedira ngushtoi epërsinë e Volfsburgut në 1:2, ndërkohë në minutën e 59-të rezervisti Serhio Kordova arriti që të barazojë shifrat në 2:2.
Ky rezultat ju dha krahë futbollistëve vendas, të cilët kërkonin edhe golin e tretë dhe të fitores, mirëpo përmes një kundërzbritje të miqve, ata i arriti dënimi, pasi Janik Gerhart një minutë para fundit të takimit duke shfrytëzuar diagonalen e gjatë të portierit Koen Kasteels dhe më pas edhe pasimin e Renato Shefen, arriti që të shënojë golin e tretë dhe të fitores për Volfsburgun.
E gjithë kjo nxjerri në pah edhe formën momentale të Augsburgut, skuadër kjo që tashmë rrezikon dukshëm rënien në Bundesliga II, duke pasur parasysh se pjesën e parë të sezonit 2018/2019 e mbyll me vetëm një pikë më shumë larg zonës së rrezikut.