Java e 18-të në Premierligë na solli dy surpriza të mëdha, njofton ‘infOSport.mk’. Dy skuadrat pretendente për titull, Mançester Siti dhe Çelzi pësuan disfata në ndeshjet e tyre si vendas, duke humbur hapin me Liverpullin, që mbrëmë si mysafir mundi Vulverhemptonin.
Kampionët e Sitit në një ndeshje spektakolare në ‘Etihad Stadium’ u mundën nga Kristal Pallasi me rezultatin 2:3, teksa Çelzi në ‘Stemford Brixh’ u mund nga Lesteri me rezultatin minimal 1:0.
Golin e vetëm për ‘dhelprat’ e realizoi sulmuesi Vardi në minutën e 51-të.
Siti avansoi me golin e Gjundogan në minutën e 27-të, mirëpo falë dy golave të shënuar brenda dy minutave nga ana e Shlup (33’) dhe Tounsend (35’), Kristal Pallasi e mbylli pjesën e parë me epërsinë 1:2.
Milivojeviç në minutën e 51-të shënoi edhe golin e tretë për miqtë, ndërkohë Kevin De Brujne në minutën e 85-të me një super gol vendosi rezultatin përfundimtarë të këtij takimi Mançester Siti 2, Kristal Pallasi 3.
Pas kësaj disfate Siti tashmë ngec me 4 pikë ndaj Liverpullit të vendit të parë, që ka 48 pikë, ndërkohë Çelzi mbetet në kuotën e 37 pikëve, duke u renditur në pozitën e katërt.