500 milionë euro për të rindërtuar Real Madridin. Kështu shkruan ‘Don Balon’, sipas së cilës, Florentino Perez dëshiron të bëjë revolucion të vërtetë në skuadrën e tij, duke fituar fonde për një fushatë blerjesh faraonike.
Për presidentin e “mbretërve”, askush nuk është i paprekshëm dhe të gjithë e kanë një çmim, duke filluar nga Marko Asensio dhe Isko, të cilët kërkojnë më shumë hapësirë.
Për të parin do të pranonte vetëm propozimet nga 120 milionë euro, për të dytin lëkundet edhe për 80 milionë euro. Në merkato, gjithashtu, mund të dalë edhe Garet Bejll. Kërkesa fillestare e Realit për yllin uellsian do të jetë 150 milionë euro, por edhe për 100 milionë mund të jetë dakord.
‘Lamtumira’ e Benzema është vlerësuar me 60 milionë euro, 20 milionë më pak se do të kushtonte Luka Modriç, pasi tani është 33 vjeç.
Edhe Marselo me Serhio Ramos nuk konsiderohen të paprekshëm, veçanërisht nëse do të kthehet Hoze Murinjo. Portugezi nuk do të merret me asnjërin prej tyre, ndaj nga shitjet e mundshme të dy futbollistëve në fjalë, Perez ka në plan të fusë në xhep 100 milionë euro të tjerë.
PËRFORCIMET – Sa u përket përforcimeve, në veçanti repartit të sulmit, emrat në krye të listës janë dy të zakonshmit, Nejmar dhe Mbape. Për mbrojtjen janë fokusuar Eder Militao dhe David Alaba. I pari është një lojtar qendror, 21 vjeç, që luan te Porto, i rekomanduar nga Murinjo dhe për të cilin “Dragonjtë” kërkojnë të paktën 50 milionë euro.
Sa për Alaba, lojtari austriak dëshiron të ndryshojë mjedis dhe Real Madridi është zgjedhja e tij e parë. “Mbretërit” do të jenë të gatshëm të ofrojnë 60 milionë euro për kartonin e tij, por kërkesa e bavarezëve është më e lartë, 80 milionë euro.
Në të kundërt, Alaba mbetet aty ku është. Prej disa kohësh është folur për një kthim të mundshëm të Murinjos, por në dhomën e xhveshjes ka futbollistë kundër trajnerit portugez.
Para së gjithash është kapiteni Serhio Ramos. Qendërmbrojtësi spanjoll, në vend të kësaj ideje, do të shtyjë për të marrë Joakim Lev, trajneri i Gjermanisë, që në javët e fundit nuk e ka mbajtur sekret ambicien e tij për ta drejtuar një ditë Real Madridin.