Jose Mourinho nuk është më trajneri i Manchester United. Humbja në derbin e Anglisë ndaj Liverpoolit të dielën i ka hedhur përfundimisht benzinë zjarrit, me drejtuesit e Djajëve të Kuq që kanë vendosur të shkarkojnë nga detyra trajnerin portugez. Në fakt në komunikatën e Manchester United ku bëhet i ditur largimi i Special One, lihet të kuptohet që është Mourinho ai që është larguar nga stoli i 20-herë kampionëve të Anglisë duke dhënë dorëheqjen dhe se gjithçka është zgjidhur me konsensus. Megjithatë mediat angleze shkruajnë që Mourinho është shkarkuar dhe se klubi nga Old Trafford duhet ti paguajë luzitanit 22,5 milionë paund për kontratën që kishte deri në vitin 2020 dhe për faktin se Manchester United është ende në garë në Champions League duke kaluar grupin.
Mbyllet pas dy sezonesh e gjysmë aventura e 55-vjeçarit portugez në krye të Djajëve të Kuq, me Mourinhon që arriti të fitonte dy trofe, 1 Europa League dhe 1 Kupë Lige në eksperiencën e tij te United. Rezultatet e dobëta në këtë sezon, vendi i 6-të në Premier League me 26 pikë të grumbulluara pas 17 javësh(11 më pak se vendi i 4-t), por edhe eliminimi nga Derby County në Kupën e Ligës i kanë dhënë fund aventurës së Special One te United. Janë dy kandidatët kryesorë për të pasuar Mourinhon në stolin e 20-herë kampionëve të Anglisë në fund të këtij sezoni, pikërisht Zinedine Zidane dhe Mauricio Pochettino, ndërkohë që përkohësisht skuadra me të gjitha gjasat do të drejtohet nga zëvendësi i portugezit ish-mesfushori i Djajve të Kuq Michael Carrik, siç raporton vetë klubi në faqen zyrtare.