Më 3 janar të vitit 2019, legjenda e Formulës 1, Mihael Shumaher do të festojë 50-vjetorin e tij të lindjes, edhe pse në kushte jo të zakonshme.
Për këtë arsye, në Muzeun “Ferrari” është krijuar një hapësirë për hapjen e një ekspozite në nder të 7 herë kampionit të botës.
Kjo është mënyra më e mirë, e gjetur nga “Kokëkuqja” italiane, për të shprehur të gjithë mirënjohjen në drejtim të gjermanit Shumaher, që tashmë e ka gdhendur fort emrin e tij në historinë e kësaj skuderie të Formula 1.
Në 11 sezone me Ferrarin (1996-2006), piloti gjerman ishte shpallur 5 herë rradhazi kampion Bote, ndërkohë që ndihmoi skuderinë italiane të fitojë 6 tituj për konstruktorë.
Në Muzeun “Ferrari”, që do të quhet “Michael 50” dhe që hapet në bashkëpunim me fondacionin “Keep Fighting”, do të ekzpozohen të gjitha momentet e paharruara që 7 herë kampioni i botës ua dhuroi tifozëve të kësaj skuadre.
Por jo vetëm kaq. Në këtë ekspozitë do të tregohet edhe kontributi i madh i dhënë nga Mihael Shumaher për zhvillimin e makinave GT, gjatë kohës së qëndrimit të tij në Maranello, si pilot dhe si konsulent.