Xherdan Shaqiri deklaron se trajneri i Liverpool, Jurgen Kloop i kërkoi që të përfshihej menjëherë në ndeshje, sapo e kishte aktivizuar si zëvendësues në përballjen e vështirë kundër Manchester United. Ylli me kombësi shqiptare që përfaqëson Zvicrën, i cili u bashkua në merkaton e verës me Liverpool për shumën e £13milionë, pasi Stoke City ra një kategori më poshtë, u aktivizua në minutën e 70’ të përballjes në “Anfield”, kur rezultati ishte fiksuar në barazim 1-1. Vetëm tre minuta më vonë, 27-vjeçari gjeti golin për të kaluar “Të Kuqtë” në avantazh, ndërsa në të 80’ shënoi golin e tij të dytë personal në ndeshje, duke ngrirë Manchester United, dhe hipotekuar tre pikët për Liverpool që fitoi me rezultatin 3-1.
Kur u pyet në lidhje me fjalët që i tha trajneri Kloop për ta motivuar aq sa për të reaguar në atë mënyrë shpëthyese, me dy gola në 10 minuta, Shaqiri deklaroi: “Ai më tha se kërkonte nga unë që të përfshihesha menjëherë në ndeshje. Unë u përpoqa që të jem direkt dhe sikurse mund të konstatohet nga golat e shënuar shumë shpejt, që e kisha përgatitur mirë veten. E kisha ndjekur me vëmendje ndeshjen nga pankina duke konstatuar hapësirat mes reparteve dhe kishte shumë të tilla. Unë jam shumë i mirë mes zonave dhe përpiqem të qëndroj aty për të marrë topin dhe të kem një impakt për të qëndruar në lojë. Në fund shënova dy gola dhe ne fituam ndeshjen, kjo ishte një ditë perfekte për ne”, deklaroi Shaqiri.