Të themeluar vetëm dy vite më parë dhe me një përbërje në përgjithësi me futbollistë vetëm nga Likova, klubi i futsalit Karadaku në sezonin e saj të tretë garues mund të shkruaj histori.
Skuadra kumanovare me plotë meritë u shpall kampion vjeshtorë në Ligën e Dytë të Futsalit, duke shpresuar se në fund të sezonit ata do i’a arrijnë qëllimit që të inkuadrohen në mesin e më të mirëve në futbollin në palestër, njofton ‘infOSport.mk’.
7 fitore dhe 2 barazime kanë regjistruar djelmoshat kumanovar në 9 ndeshjet e stinorit vjeshtorë, duke u renditur në pozitën e parë me 23 pikë, një më shumë se Mal Ajaksi i vendit të dytë.
Sukseset e këtyre djelmoshave të ri, me në krye trajnerin Gazmend Bilali dhe ndihmësin Mervan Alili nuk kanë mbetur pa u vërejtur edhe nga futsal dashësit e këtij rajoni, të cilët gjatë gjithë këtij gjysëmsezoni kanë qenë lojtari i 6-të i skuadrës së Karadakut, që njëherit është edhe skuadra me shikueshmërinë më të madhe në ndeshjet e Ligës së Dytë.
Ata me siguri se do të jenë lojtari i 6-të i skuadrës së tyre edhe gjatë pjesës së dytë të kampionatit, me shpresë se në fund gjithë së bashku do festojnë dhe Likovën qendër futsali do e shndërrojnë, duke bërë që edhe rinia ta dashurojë këtë sport, që gjithnjë e më shumë po gjenë hapësira në çdo qytet dhe fshat.