Interi programon rinovimin sa më të shpejtë të Mauro Icardit, me marrëveshjen e re që me shumë mundësi do të firmoset në fillimin të vitit të ardhshëm, që përkon me pauzën e kampionatit dhe me hyrjen në skenë të administratorit të ri të deleguar, Beppe Marotta.
Kontrata e re do ta mbajë të lidhur argjentinasin me ngjyrat zikaltër deri në vitin 2023. Në këtë mënyrë, kontrata e rë parashikon një zgjatje me dy sezone të aktuales, që skadon në 2021-shin. Vullneti për të përshpejtuar gjithçka është konkret, edhe pse mbeten ende disa detaje për t’u sqaruar.
Në të vërtetë, spekulimet e muajve të fundit kanë bërë që drejtuesit zikaltër të formulojnë një ofertë prej 6 milionë eurosh në sezon, përfshi bonuset. Aktualisht, Maurito përfiton 4.5 milionë euro, që plus bonuset shkon në 5.3 milionë euro. Për këtë ofertë, Wanda Nara nuk ka thënë po, por ka dalë më pretendimin për një pagë prej 8 milionë eurosh neto në sezon.
Krahas optimizmit, është ndier kohët e fundit edhe një farë distance mes palëve. Por me Marottan në organikë, tashmë perspektiva premton për një mbyllje me sukses të këtij operacioni, ku nuk do të mungojnë edhe diskutimet për klauzolën e largimit.