Portugezin Pepe viti 2019-të do ta gjejë me një skuadër të re. Ish mbrojtësi i Realit të Madridit ka prishur kontratën me gjigandët turq të Beshiktashit, me të cilën skuadër kishte regjistruar 52 ndeshje dhe 7 gola.
Ai tashmë është një futbollistë i lirë, ndërsa duke marrë në konsideratë karrierën dhe eksperiencën që ka, Pepe do të ishte një përforcim i rëndësishëm për çdo skuadër. Por, edhe pse mund të merret me kosto zero, rroga e tij nuk mund të konsiderohet e ulët.
Ka qenë pikërisht kjo arsyeja pse Beshiktashi ka vendosur të heqë dorë nga portugezi, duke e lënë të lirë që të largohet.
Mirëpo e përditshmja spanjolle, “Marca” ka zbuluar një detaj interesant lidhur me portugezin Pepe. Sipas këtij edicioni Pepe para se të largohej nga skuadra turke, ka hequr dorë nga rroga e muajit të fundit dhe ka kërkuar që ato para të përdoreshin për të paguar stafin (veçanërisht ata që merren me kuzhinën dhe fushën).
Një zgjedhje me të vërtetë e papritur për një futbollist që ka patur gjithmonë hijen e të fortit dhe të ashprit. Mirëpo si duket se dashuria që ka krijuar brenda një viti e gjysmë te Beshiktashi ka fituar mbi gjithçka dhe me siguri se raportet e mira, futbollistë-klub do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, pavarësisht ndarjes mes tyre në këto momente.