Skuadra kampione e Europës, Reali i Madridit ka shënuar fitore minimale 1:0 ndaj skuadrës së parafundit në renditje, Rajo Valjekano në ndeshjen e vlefshme të javës së 16, të zhvilluar në ‘Santiago Bernabeu’.
Karim Benzema realizoi golin e vetëm të këtij takimi në minutën e 13-të, kur pasimin e mrrekullueshëm të Lukas Vazkes nga brendia e zonës e dërgoi në rrjetën e Dimitrievskit, portierit të përfaqësueses së Maqedonisë, i cili sonte ndaj ‘mbretërve’ bëri një paraqitje solide.
Me këtë fitore skuadra madrilene i është afruar Barcelonës në vetëm dy pikë, me ekipin ‘katalunas’, që ndeshjen e saj të javës së 16-të do ta zhvillojë nesër mbrëma ndaj Levantes së Enis Bardhit.
Ndryshe për Realin e Madridit ishte kjo ndeshja e fundit kampionale gjatë këtij viti kalendarik. Pas këtij takimi ‘mbretërit’ do të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara Emirate, ku javën që vjen do të tentojnë që të mbrojnë titullin e kampionit të Botës.