Një ndeshje futbolli mund të anulohet për arsye nga më të ndryshmet, por shpjegimi që ka dhënë sot Federata Gjermane për anulimin e takimit të kategorisë së katërt, ndryshe e njohur si Regionalliga Ëest mes skuadrave të Boner SC dhe TV Hernekraft, është unike në llojin e saj.
Ndeshja është anuluar për shkak të korbave. Me sa duket, një tufë e madhe zogjsh kishin kaluar mbi stadiumin ku do të luhej ndeshja dhe kishin ngrënë barin, duke e lënë fushën në kushte të mjerueshme.
“Ata kanë lënë vrima në gjithë fushën. Edhe terreni është ngrirë për shkak të temperaturave të ulëta, ndaj nuk mund të mbulohen me lehtësi vrimat që kanë shkaktuar”, u shpreh një nga punonjësit e klubit për mediat gjermane.
Drejtori sportiv thotë tashmë që klubit të Boner nuk i mbetet gjë tjetër vetëm ta përjetojë me humor situatën. “I kam thënë me shaka menaxherit tonë që duhet të gjejmë një gjahtar të mirë. Pasi nuk shoh zgjidhje për këtë problem. Fusha është komplet e shkatërruar, kanë lënë kratere të mirëfillta në tokë”, shpjegoi ai.