Shkëndija i merr mesfushorin më të mirë FC Shkupit!?

Edhe pse ende nuk ka filluar zyrtarisht merkatoja e dimrit, skuadrat po bëjnë matematikat duke parë mundësitë e përforcimeve, me të cilat në stinorin pranveror do të kërkojnë që ti plotësojnë ambiciet dhe planet e tyre.

Shkëndija e Tetovës, ndryshe kampione e vjeshtës në elitën e futbollit vendor, me siguri se edhe në fund të kampionatit dëshiron të ndalet në pozitën e parë, ndërsa për të arritur një gjë të tillë, ata dëshirojnë të bëjnë disa rifreskime në skuadër. Jo zyrtarisht ‘infOSport.mk’ mëson se ‘kuqezinjtë’ nga Tetova dëshirojnë që në rradhët e tyre të sjellin mesfushorin e FC Shkupit, Rron Broja, ndryshe pjesë e përfaqësueses U21 të Kosovës.

Broja skuadrës nga Çairi iu bashkua në fillim të këtij viti, kur erdhi nga rradhët e Trepça ’89, ndërsa paraqitjet e tij bindëse me fanellën e FC Shkupit, por edhe përfaqësueses së Kosovës, kanë bërë që drejtuesit e Shkëndijës të mendojnë rreth angazhimit të tij, duke përforcuar kështu repartin e mesfushës. Ndoshta ky interesim i skuadrës tetovare vjen edhe për faktin, se shumë lehtë mund të ndodhë që nga rradhët e tyre të largohet Enur Totre, për shërbimet e të cilit po interesohet skuadra shumë herë kampione e Norvegjisë, Rosenborgu.

Leave a Reply