E pabesueshme, por e vërtetë: një djalosh 21-vjeçar “hedh vickla” dhe i krijon probleme Barcelonës, një ndër klubeve më të mëdhenj në planet!
Usmane Dembele është një ndër shpenzimet më të mëdha në historinë e klubit ‘katalunas’, që me siguri është penduar me kohë për shpenzimin kolosal, mbi të gjitha për shkak të karakterit të vështirë të sulmuesit, për të cilin shpenzoi më shumë se 100 milionë euro në verën e vitit 2017.
Edhe këtë javë ish-sulmuesi i Dortmundit nuk shkoi në stërvitje dhe pasi klubi i kërkoi llogari, mediat ‘katalunase’ zbulojnë se justifikimi absurd është se e kishte zënë gjumi!
Trajneri Ernesto Valverde nuk i foli fare francezit, por dukej qartësisht i tërbuar, edhe pse dje në konferencën për shtyp para ndeshjes me Totenhamin u mundua të mos merrej me këtë histori: “Është një situatë që do ta zgjidhim brenda shtëpisë, nuk ka nevojë të flasim në media. Nuk është diçka e re dhe do të mundohemi ta zgjidhim në mënyrën më të mirë të mundshme, duke ndihmuar lojtarin, i cili ka shumë talent.Çështjet që ngre shtypi janë të një natyre të brendshme, por ai është një futbollist që na jep shumë në fushë, si gjithë të tjerët. Do të shohim çfarë ka ndodhur, por të gjithë duam të njëjtën gjë. Të shtunën fituam 4:0 derbin dhe thamë ‘tani mund të kemi një të diel të qetë’, por më pas gjëra ndodhin dhe njerëzit pyesin vetëm për Dembele. Këto gjëra më kanë ndodhur edhe mua, edhe pse jo në shumë raste”.
Sipas mediave ‘katalunase’ drejtuesit e Barcelonës kanë vendosur që të gjobisin francezin me 100 mijë euro, pasi kjo nuk është hera e parë që krijon probleme. Nëse do të përsëriste sërish një gjë të tillë, gjoba do ti rritej shumëfish dhe më pas largimi me siguri se do të ishte i paevitueshëm.