Në 14 ndeshje ka shënuar 5 gola dhe ka dhënë 7 asiste. Janë shifra që shumë sulmues dëshirojnë të kenë, ndërkohë që një djalosh 18-vjeçar i ka arritur.
Quhet Xhadon Sanço, ka lindur në Londër, por ka edhe pasaportën e Trinidad Tobagos. Ai është rritur te të rinjtë e Uatfordit dhe më pas kaloi te Mançester Siti, ndërsa në verën e 2017-ës, pa mbushur 18 vjeç, u shit te Borusia Dortmundi.
Luan sezonin e dytë dhe është ambientuar mirë në Gjermani me gjithçka, përveçse me berberin.
Në një intervistë për “Mirror”, Sanço ka rrëfyer se nuk ka besim te berberët gjermanë: “Nuk kam besim te berberët gjermanë dhe nuk i pres flokët këtu. Kur duhet t’i pres, shkoj te berberi im në Angli. I kam parë berberët këtu në Gjermani dhe….”
Nga të gjitha steriotipet në lidhje me gjermanët, kjo e berberëve duket diçka e re. “Më mirë të rri tre muaj pa i prerë flokët, se t’i pres këtu”, – ka shtuar Sanço, i cili gjithashtu u ka shpjeguar anglezëve se çfarë kërkon trajneri Favre prej tij: “Pika ime e dobët është këmba e majtë dhe duhet ta përmirësoj. Po përpiqem ta përdor më shumë të majtën, pasi trajneri më ka thënë se është e nevojshme, nëse dua të qëndroj në skuadrën e parë”.
Nëse Sanço arrin të shërbejë dhe të gjuajë drejt portës me të njëjtin precizion si me të djathtën, ai do të jetë ylli i së ardhmes. Kështu do të ketë mundësi ta marrë berberin e tij me vete në Gjermani. (Vipsport.al)