Aventurës së Mesut Ozilit te Arsenali po i vjen fundi. Të paktën kështu raporton ‘The Sun’, që shkruan se klubi londinez ka vendosur të nxjerrë atë në listën e transferimeve të janarit.
Deri te një vendim i tillë ka sjellë edhe rendimenti i tij i dobët që kohëve të fundit po shfaq te Arsenali, ndërkohë që në ditët e fundit Ozil u shfaq edhe në një video skandaloze të publikuara nga vetë ‘The Sun’ duke konsumuar ‘Hippy Crack’ në një festë ku ishin të pranishëm edhe disa futbollistë të tjerë të Arsenalit.
Mesut Ozil te Arsenali u transferua gushtin e vitit 2013-të, kur për një shumë prej 50 milion euro arriti nga rradhët e Realit të Madridit.
Tashmë vlera e tij është shumë më e vogël, ndërsa thuhet se Arsenali për shërbimet e turkut me pasaportë gjermane kërkon 28 milion euro.
Mesfushori gjerman, që nuk ishte grumbulluar në dy ndeshjet e fundit të skuadrës londineze, rrezikon që të qëndrojë 2 muaj jashtë fushave për shkak të problemeve në shpinë që iu shfaqën për shkak të qëndrimit të gabuar të tij teksa luante me orë të tëra në ‘Playstation’.
Gjithnjë sipas ‘The Sun’, Interi po monitoron situatën për Ozil kontrata e të cilit me Arsenalin skadon në vitin 2021, dhe duket se është gati të bëjë lëvizjen e tij për të sjellë futbollistin në Milano.
Por jo vetëm kaq, duket se klubi ‘zikaltër’ ka përcaktuar një datë takimi në Itali me përfaqësuesit e Ozil mes të cilëve është edhe vëllai i tij, Mutlu.