Futsal Shkupi ka demoluar Kratovën në ndeshjen e javës së 13-të në elitën e futsalit vendor, njofton ‘infOSport.mk’. Skuadra e trajnerit Zoran Lekiq shënoi fitore 13:4, duke vazhduar pa probleme të kryesojë renditjen tabelare para Velesit, që në derbin e kësaj jave mundi Cikon me rezultatin 11:9.
Në ndeshjen e zhvilluar në palestrën ‘Enver Idrizi’, tre lojtarë të FC Shkupit ishin të pandalshëm duke qenë rrezik permanent për mbrojtjen e skuadrës së Kratovës, që nuk arrinte dot të gjejë kundërpërgjigje për treshen Rexhep Sulejmani-Erkan Shabani-Bejtulla Jakupi, që bashkë shënuan 10 gola.
Sulejmani ishte më efikasi duke realizuar 4 gola, ndërsa Jakupi dhe Shabani shënuan nga 3 gola. Për talentin 20-vjeçar të Futsal Shkupit, i cili këtë verë erdhi nga rradhët e Juventus Seravës ishin këto golat e parë, ndërsa nga një gol tjetër në këtë përballje për skuadrën nga Çairi realizuan edhe Ismet Ceka, Ivan Sotirovski dhe Haris Fazliu.
Për dallim nga Futsal Shkupi, skuadra e Juventus Seravës në një ndeshje spektakolare u mund në parketin e saj nga Crna Reka me rezultatin 4:5. Fituesi në këtë ndeshje nuk dihej deri në çastet e fundit të takimit, ndërsa shumë pak mungonte që kjo ndeshje të mbyllej me barazim, në rast se Furkan Shabani në sekondat e fundit shfrytëzonte një rast ideal para portës së mysfairëve.
Në këtë mënyrë ‘bardhezinjtë’ nga Serava humbën mundësinë që të ngjiten në pozitën e 5-të, aty ku tashmë ndodhet pikërisht kundërshtari i sontëm i tyre nga Kavadari.
Fitores këtë javë iu gëzua edhe Shkëndija, që në Tetovë me rezultatin e thellë 7:1 mundi ekipin e Gemixhi, teksa Astibo me rezultatin 6:3 mundi Zhelezarecin, kundërshtarin e ardhshëm të Futsal Shkupit.
Futsal, liga e parë – java 13-të | |||||||||||||||
|