Ende nuk ka “debutuar” zyrtarisht si drejtues i Interit, ndërsa Bepe Marota, ish-administratori i deleguar ‘bardhezi’ mund të nisë “luftën” me klubin që e shkarkoi.
‘Sot Interi është shoqëria që i afrohet më shumë Juventusit ekonomikisht. Diferenca mund të ngushtohet në harkun e 2-3 viteve, ‘zikaltrit’ pritet të prekin kuotën e 500 milionë eurove si xhiro vjetore dhe bashkë me bardhezinjtë do jenë dy forcat financiare më të mëdha italiane’.
Kështu Marko Belinaco, gazetar i “Sole 24 Ore” (e përditshme ekonomiko-financiare), e ka portretizuar krahasimin jashtë fushe mes Interit e Juves. Pra, Marota mund të ketë shumë shpejt nëpër duar “armët” për të sfiduar ish-‘Zonjën e tij’ në merkato, ku objektivët e përbashkët janë shumë (Milinkoviç, Barela, Kieza…). ‘Bombën’, megjithatë, e ka lëshuar “Quotidiano Sport”: drejtuesi i ri interist do trokasë në dyert e Juves për… Paulo Dybalën.
KUR AUZILIO… – I cili, duhet kujtuar, u kërkua gjatë nga Piero Auzilio (drejtori sportiv zikaltër) pranverën e 2015-ës, por Zamparini, në atë kohë president i Palermos, preferoi t’ia jepte Juves që ofronte më shumë. Talentit argjentinas i skadon kontrata në 2022-shin, e mbi të gjitha në momentin e largimit të Marotës numri 10 juventin i tha: ‘Më keni dhënë shumë, më merrni kudo që do shkoni’. Vështirë që bardhezinjtë të dorëzohen lehtë, por për të arritur tek ëndrra “Mbape” mund të duhet një sakrificë. Në krahun tjetër, “Joya” do ishte i lumtur t’u bashkohej argjentinasve të Interit.