Një lajm shumë të madh ka marrë përfaqësuesja e Kosovës, e cila me paraqitjet e fundit në kuadër të Ligës së Kombeve ka mahnitur shumë shqiptarë, por edhe futbollin europian. Skuadra ‘dardane’ përveç që siguroi kualifikimin në ndeshjet gjysmëfinale të kompeticionit më të ri europian në nivel kombëtaresh, së fundmi ka marrë edhe një lajm shumë të gëzueshëm, duke pasur parasysh se një lojtarë tjetër me mjaft eksperiencë ka marrë lejen nga FIFA për t’iu bashkuar atyre.
Bëhet fjalë për Loret Sadikun, i cili aktualisht luan në Superligën turke me skuadrën e Kasimpasha. Sadiku luan në mbrojtje, reparti ku Kosova ka nevojë të shtojë konkurrencën.
Ai ishte ftuar edhe nga Kombëtarja shqiptare, madje i gjithë dokumentacioni i tij ishte dërguar në FIFA nga ana e FSHF-së, mirëpo në fund ai vendosi që të prezantojë vendin e të parëve të tij.
Me Kasimpashan, Loret Sadiku po zhvillon një sezon të shkëlqyeshëm. Ai ka luajtur në 12 ndeshje si titullarë nga gjithsej 13-të, duke munguar vetëm në ndeshjen e fundit ndaj Malatijaspor (3:0), për shkak numrit të plotësuar të kartonëve të verdhë. Ai konsiderohet si një pjesë shumë e rëndësishme e skuadrës surprizë të këtij edicioni në elitën e futbollit turk, duke pasur parasysh se skuadra e tij Kasimpasha renditet në pozitën e dytë pas Bashakshehirit, duke lënë pas vetes gjigandët si Galatasaraji, Beshiktashi dhe Fernerbahçe, që këtë vit po zhvillon një ndër sezonet më të dobëta në histori, duke u renditur vetëm në pozitën e 15-të.