Feronikeli i Zekirja Ramadanit ka shënuar fitore 2:0 në ndeshjen e javës së 17-të kundër Flamurtarit, duke mbyllur kështu me fitore pjesën e parë të garave në IPKO Superligën e Kosovës në futboll.
Feronikeli ka arkëtuar tri pikë të mëdha në duel me ‘kuqezinjtë’ e Prishtinës, duke u ngjitur në krye të tabelës, të paktën deri nesër kur Prishtina përballet me Dritën.
Ylli Hoxha (16’) dhe Kastriot Rexha (56’), shënuan nga një gol për fitoren e Feronikelit.
Më fitore stinorin vjeshtor e ka mbyllur edhe Llapi që në shtëpinë e tyre mundën Lirinë, me rezultat 1:0. Hamdi Namani (30’), realizoi golin e fitores për llapjanët, skuadër kjo që mbetet në garën për kreun e tabelës.
Tri pikë tejet të rëndësishme i ka arkëtuar edhe Gjilani që mundi Ferizajn, me rezultat 1:0, falë golit te Ansi Nika (61’).
Ndërkohë, Drenica e ka demoluar KEK-un, duke e mposhtur bindshëm me rezultat 5:1. Armend Abazi (20’, 87’), Mziu (31’), Ermal Veliqi (55’) dhe Diar Mustafa (60’) u përkujdesën për fitoren e kuqezinjve të Drenicës, të cilët ‘blindojnë’ mesin e tabelës, kurse, golin e nderit për “elektricistët” e shënoi Nimani (90’).