Përfaqësuesja e futbollit të Maqedonisë ka mbyllur me sukses pjesëmarrjen në edicionin e parë të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve dhe me 15 pikë ndalet në pozitën e parë që mundëson pjesëmarrje në play off ku do të diskutohet kualifikimi në Kampionatin Evropian të vitit 2020. Nga gjashtë ndeshje të luajtua Maqedonia fitoi pesë takime, ndërsa dështimin e vetëm e kishte në transfertën me Armeninë, që nuk ndikoi aspak në renditjen përfundimtare. Kështu përfaqësuesja e vendit i afrohet suksesit më të madh në histori, ndërsa kënaq përfshirja e futbollistëve shqiptarë në përbërje (Bardhi, Hasani, Alioski, Ademi, Musliu dhe Bejtullai). Gjithë kjo ndodh paralel me periudhën kur Institucioni më i lartë i futbollit në vend drejtohet nga kërçovari Muhamed Sejdini. Punëtorë shumëvjeçar në futboll, Sejdini prej pesë vitesh ishte nën-kryertari Federatës së futbollit të Maqedonisë, ndërsa me dorëheqjen e tashmë ish-presidentit të FFM-së, Ilço Gjorgjioskit, kërçovari bëhet shqiptari i parë që drejton shtëpinë e futbollit, kuptohet si ushtrues detyre.
Sigurisht se në përshtypje të parë nuk flitet për një ish-futbollist me karrierë të pasur nga e kaluara, por nëse shikohet kyçja e tij në futboll prej kohësh atëherë konstatohet se jo rastësisht është gjetur në këtë pozitë. Heqim anash veprimtarinë futbollistike të tij, për të përmendur se është në rrjedha me organizimin e futbollit që në kohën kur Rexhep Bexheti ishte nën-kryetar i FFM-së. Më pas Sejdini u bë bashkëpunëtori më i afërt i Qenan Idrizit në periudhën kur ky i fundit kishte postin e njeriut të dytë në federatë, për ta pasuar atë në zgjedhjet e vitit 2013. Sot është njeriu i parë i federatës dhe duke parë rrjedhën e gjërave besohet se me të mirat e të këqijat është shembull që duhet të bashkojë shqiptarët. E kaluara e Sejdinit tregon se ai din të mbështesë kur tjetër kush është në krye (gjatë gjithë mandateve të Rexhep Bexhetit dhe Qenan Idrizit), ndërsa tash është njeriu që duhet mbështetur në drejtim të realizimit të aspiratave. Kujtojmë që Sejdini morri pjesë direkte në preceset për pranimin e Federatës së Kosovës në instancat ndërkombëtare UEFA dhe FIFA, pasi ishte njeriu që dha voton PRO në emër të FFM-së, ndërsa për angazhimin e tij në këto procese më shumë flasin vetë deklaratat e presidentit të ndjerë të FFK-së, Fadil Vokrri dhe njeriut të parë të FSHF-së, Armando Duka. Duke parë mënyrën konstruktive të funksionimit, ardhja e Muhamed Sejdinit në krye të FFM-së si ushtrues detyre është pranuar relativisht qetë edhe nga maqedonasit, duke ditur se gjithë kohën insistimi dhe motoja e funksionimit të tij është që në FFM të flitet ekskluzivisht dhe vetëm me ‘gjuhën e futbollit’.
Fakti që suksesi i deritashëm i përfaqësueses A të Maqedonisë në Ligën e Kombeve erdhi pikërisht në periudhën e qëndrimit të tij në krye të federatës, mbase është shpërblim për gjithë mundin e dhënë deri tani. Sfida dhe obligime të reja sigurisht se pasojnë në të ardhmen, kur ka edhe shumë gjëra për tu bërë e përmirësuar, por sinjalet e deritashme janë pozitive dhe suksesi i përfaqësueses së Maqedonisë që vazhdon ëndrën për kualifikim në Kampionatin Evropian sigurisht se i zbukuron gjërat. Arritjen e deritashme Muhamed Sejdini bashkë me Këshillin Drejtues të FFM-së e shpërblyen me ndarjen e 500 000 eurove për futbollistët dhe stafin teknik, ndërsa tash pason angazhimi i vërtetë për gjërat që pasojnë në të ardhmen. S’don mend se për realizim të aspiratave duhet bashkim dhe mbështetje e të gjithëve pa përjashtim, ngase përçarjet sjellin vetëm dëm./InfOSport.mk