“Ne duhet të vazhdojmë udhëtimin tonë dhe të përmirësohemi më shumë nga sezoni i kaluar. Kualifikimi në Ligën e Kampioneve ishte pikënisje, në këtë sezon duhet të dëshmojmë se jemi më konkurrues. Dhe po e bëjmë këtë, deri tani”. Kështu shprehet zëvendëspresidenti i Interit, Havier Zaneti, në mikrofonat e “Radio Anch’io Sport”.
Ish-kapiteni ‘zikaltër’, legjendë e këtij klubi, ka folur edhe për gjëra të tjera, që ngërthejnë jo vetëm Interin, por më gjerë se kaq: “Kampionati i Juventusit është i jashtëzakonshëm, i vazhdimësisë së madhe. Ka skuadra të tjera, që do të luftojnë deri në fund për titullin, por do të jetë e komplikuar. Ne mendojmë të bëjmë kampionatin tonë këtë vit. Janë afruar lojtarë të rinj, që i kanë dhënë më shumë kualitet ekipit se sezonin e kaluar. Trajneri Spalletti është duke bërë një punë të shkëlqyeshme, jemi konkurrues, por na nevojitet vazhdueshmëri”.
Një vlerësim edhe për Bepe Marota, që mund të konsiderohet blerje e re në organikën ekzekutive zikaltër: “Kjo gjë nuk është ende zyrtare, por ardhja e një lideri të tillë, me ekspertizë të madhe, do ta forconte ekipin jashtë fushe, do të ndihmonte në rritjen e klubit tonë. Detyra e tij e saktë do të jetë të kontribuojë në anën sportive, së bashku me Ausilio dhe Gardini, të cilët po bëjnë një punë të shkëlqyer”.
Ish-kapiteni i Interit flet edhe mbi rikthimin e mundshëm të Ibrahimoviçit te Milani: “Është një kampion i madh, të gjithë do ta donin në ekipin e tyre. Unë nuk e di nëse do të vijë, apo jo, por si kundërshtar të imponon respekt maksimal. Kur ne e kemi pasur në anën tonë, Ibra ka bërë dallimin”.
Zv.presidenti bën prognozën e tij edhe për sfidën ndaj Totenhamit në Ligën e Kampionëve, e cila është vendimtare për kualifikimin më tej: “Për ne, ky do të jetë një muaj shumë i rëndësishëm, me mjaft lojëra të vështira. Ajo që morën ndaj Frosinone shpagoi deri diku humbjen kundër Atalanta. Tani do të përballemi me një kundërshtar, i cili mundi Çelzin në shtëpi dhe ka intensitet e forcë. Ne duhet të jemi të përqendruar. Një rezultat pozitiv do të thotë kualifikim kundër një ekipi, që duhet domosdoshmërisht të fitojë”.