Shkëndija në mënyrë perfekte sot siguroi fitoren e 10-të sezonale, për të thelluar epërsinë në kreun e tabelës me skuadrat ndjekëse. Fitorja 5:0 përballë Sileksit në xhiron e 15-të ka sjellë buzëqeshje të reja në kampin kuqezi, që tashmë duket se kanë gjetur rritmin e duhur në kampionat.
Trajneri Qatip Osmani pas ndeshjes më shumë se sa për triumfin e sotëm ka folur për mënyrën se si skuadra u ngrit në nivelin e duhur pas krizës momentale gjatë muajit tetor.
“Sigurisht se i kënaqur me një Shkëndijë të cilën të gjithë dëshirojmë kështu ta shohim. Rezultat bindës, lojë dominuese dhe shpresoj që të vazhdojmë me këtë rritëm”, – thotë trajneri Osmani i cili sërish potencon karakterin e skuadrës që performon në nivel të duhur edhe përkundër faktit se luan me mungesa të lojtarëve standardë si Ibraimi e Zhunior.
“E kam thënë edhe më parë se ekipi ka karakter pasi edhe vitin e kaluar edhe sivjet pikërisht ky karakter ndoshta edhe na bëri kampion. Gëzon fakti se edhe përkundër se lojtarët e lënduar janë shumë të rëndësishëm për Shkëndijën, por megjithatë edhe lojtarët janë në lojë momentalisht japin maksimumin, luajnë mirë dhe ndoshta prej krejt kësaj situatë të keqe me lëndimet, gëzon ky fakt se Shkëndija ka edhe lojtarë tjerë kualitativ.”