Kosova është në ëndërr dhe askush nuk mund ta zgjojë. Vendi i parë në grupin 3 të Ligës së Kombeve ka përmasa historike, në shumë drejtime, sepse në pak vite është bërë një punë kolosale dhe është ndërtuar një skuadër e jashtëzakonshme.
Mosha mesatare është më pak se 23 vjeç, në çdo repart ka 2 apo 3 futbollistë të rinj, që luajnë të gjithë rregullisht në klubet përkatës në kampionate serioze, federata është e organizuar dhe punon me intensitet prej vitesh, ndërsa trajneri Bernard Çallandes është zgjedhja e duhur, për të gjetur ekuilibrat mes euforisë ballkanase dhe gjakftohtësisë zvicerane.
Ecuria e shkëlqyer në Ligën e Kombeve është vetëm hapi i parë, tashmë e kanë radhën kualifikueset e Europianit, para fazës finale në Ligën e Kombeve, me sfidën kundër Maqedonisë në mars vitit 2020 dhe një finale të mundshme për kualifikim në Europian.
Skuadra aktuale është fantastike, por në Kosovë nuk flenë. Së shpejti pritet të marrin lejen edhe dy lojtarë të klasit të lartë: Florent Hadërgjonaj dhe Loret Sadiku.
Mbrojtësi i djathtë i skuadrës angleze të Hadersfilld ka pasaportë zvicerane dhe ka luajtur edhe një ndeshje miqësore për Zvicrën, por e sheh qartë se nuk është i rëndësishëm për vendlindjen dhe dëshiron të luajë për vendin e të parëve të tij.
Ndërkaq, Loret Sadiku është një telenovelë që zgjat prej shumë vitesh dhe para pak ditësh refuzoi Shqipërinë, edhe pse nga trajneri Panuçi u maskua sikur kishte dëmtim apo donte kohë të mendohej.
E vërteta është se Sadiku dëshiron të luajë vetëm për Kosovën dhe ka probleme me FIFA-n, për shkak se kohë më parë la Suedinë për Shqipërinë, pa debutuar kurrë në një ndeshje zyrtare ‘kuqezinjtë’. Tashmë FIFA ka marrë kërkesën e radhës dhe Sadiku me shumë gjasa do të marrë lejen për të veshur fanellën e përfaqësueses së Kosovën, nga i cili shtet edhe ka prejardhjen.