Përfaqësuesja e Kosovës sonte në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë do të përballet me Azerbajxhanin në sfidën e fundit të grupit 3 në Ligën D të Kombeve.
“Dardanët” që po kalojnë në top-formë, përballe Azerbajxhanit kërkojnë fitore, por edhe barazimi do ju mundësonte atyre kualifikimin në garat e ‘play-off-it’ të Ligës së Kombeve dhe ngritjen në Ligën C edicionin e ardhshëm.
Atmosfera në kampin e përfaqësueses sonë, është jashtëzakonisht e mirë, sidomos pas fitores së madhe kundër Maltës (0-5), tri ditë më parë.
Tifozët e Kosovës “Dardanët” tashmë kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe premtojnë spektakël në përkrahje të futbollistëve të tyre, të cilët besojnë se në fund do i gëzojnë me një fitore të rradhës.
Në 5 xhirot e deritanishme të grupit 3, Kosova ka regjistruar 3 fitore dhe 2 barazime, duke kryesuar tabelën me 11 pikë, 2 më shumë se kundërshtari i sotëm, Azerbejxhani.
Ndeshja midis Kosovës dhe Azerbajxhanit starton në ora 20:45.