KV për femra Universiteti i Tetovës mundi  Universiteti Goce Dellçev

Klubi i volejbollit për femra “Universiteti i Tetovës” edhe këtë vit vazhdon garën në ligën e parë të volejbollit për femra të Maqedonisë. Studentet e Universitetit të Tetovës këtë vit kanë zhvilluar pesë xhiro dhe renditen në vendin e tetë në tabelë.

Menaxherja e këtij klubi, Doc. Dr. Laureta Abazi, thotë se këtë vit klubi kryesisht ka pësuar ndryshime të mëdha, pasi që ekipi përbëhet nga vajzat të cilat kanë dalë nga shkolla e volejbollit të Universitetit të Tetovës pasi që ka mungesa nga formacioni i sezonit të kaluar. Ajo shprehet optimiste se në ndeshjet e ardhshme ekipi i saj do të arrijë që të përmirësohet edhe më shumë dhe t’i fitojë ndeshjet e radhës.

“Këtë sezon e startuam me një skuadër krejtësisht të freskuar me lojtare të reja, të cilat vijnë nga shkolla jonë e volejbollit dhe normalisht se suksesi mungon,duke marrë parasysh se gati gjithë formacioni i parë i sezonit të kaluar mungon. Këtë sezon, nga 5 xhiro të luajtura, gjithsej kemi katër humbje dhe një fitore. Jemi shumë larg nga suksesi i vitit të kaluar dhe do të jetë shumë problem të futemi në katër skuadrat në të mira që garojnë në playoff, por ne do të mundohemi të japim maksimumin që të arrijmë kualifikimin në playoff. Kampionati do të jetë i vështirë, por edhe shorti ishte i vështirë. Në xhirot e para u ndeshëm me skuadrën e Rabotniçkit-Shkup dhe Rabotniçki -Vajzat si dhe Nakovski Volej,skuadra të cilat u përforcuan në afatin kalimtar dhe janë pretendente për titullin kampion. Shpresoj që në xhirot e ardhshme ne do të paraqitemi shumë më mirë, pasi u rikthye edhe pasuesja e parë e skuadrës pas një lëndimi të gjatë dhe tash besoj se jemi më të kompletuar dhe do të mundohemi të ngjitemi në tabelë” – theksoi menaxherja Doc. Dr. Laureta Abazi.

Klubi i volejbollit për femra Universiteti i Tetovës ndeshjen e ardhshme, atë të javës së javës së 6-të të kampionatit do ta luajë në Tetovë dhe përballë do të ketë klubin e volejbollit Makedonija Maksi.

 

 

Leave a Reply