La Galaksi nuk e ka ndërmend të lirohet nga shërbimet e sulmuesit suedez, Zlatan Ibrahimoviç. Edhe pse flitej për një rikthim të mundshëm të sulmuesit gjigand në Europë, më konkretisht te skuadra e Milanit, si duket nga skuadra amerikane as që e kanë ndërmend të lejojnë largimin e yllit të tyre.
Ka qenë vetë drejtori teknik i skuadrës amerikane Jovan Kirovski, i cili është shprehur se nuk do ta lejojnë Ibrën të largohet.
“Ibrahimoviq është një futbollist fantastik, si për ne, ashtu edhe për të gjithë MLS”, ka thënë Kirovski.
“Kontrata e Ibrahimoviç nuk skadon tani, ai ka ende një vit kontratë me ne. Ne duam që ai të jetë i lumtur në ekipin tonë dhe po punojmë për të siguruar të vazhdojë të luajë te LA Galaksi. Ai është një futbollist special, unik për ne. Të shënosh aq shumë gola dhe të shërbesh aq shumë asistime në moshën e tij, pas lëndimit te Mançester Junajtedi është e pabesueshme. Ka shumë futbollistë të shkëlqyer, por asnjë si ai”, – ka theksuar drejtori i klubit amerikan.
37-vjeçari Ibrahimoviç këtë edicion me LA Galaksin ka zhvilluar gjithsej 27 ndeshje, duke regjistruar 22 gola dhe 7 asiste.