Përfaqësuesja e Maqedonisë ashtu edhe siç pritej pa shumë probleme ka mundur Gjibraltarin në ndeshjen e fundit të grupit 4 të Ligës D të Kombeve, duke mbyllur me shumë sukses këtë kompeticion, i pari i organizuar nga ana e UEFA-s, njofton ‘infOSport.mk’.
Të përzgjedhurit e seleksionuesit Igor Angellovski shënuan fitore 4:0, ndërsa i pari që shënoi ishte Enis Bardhi. Futbollisti shqiptarë shënoi një eurogol në minutën e 27-të, që njëherit paralajmëroi një pjesë të dytë më komode, e cila dhuroi edhe 3 gola të tjerë.
Në dy raste ishte Ilija Nestorovski që shënoi në rrjetën e mysafirëve, ndërsa rezultatin përfundimtarë Maqedonia 4, Gjibraltari 0 e vendosi Aleksandar Trajkovski, me golin e realizuar në minutën e dytë shtesë të takimit.
Përveç Bardhit takimin ndaj Gjibraltarit që nga minuta e parë e nisën edhe dy mbrojtësit e Shkëndijës, Visar Musliu dhe Egzon Bejtullai, si dhe Ezgjan Alioski, ndërsa gjatë pjesës së dytë në lojë u inkuadruan edhe Ferhan Hasani dhe Arijan Ademi.
Falë kësaj fitore Maqedonia përfundoi në pozitën e parë me 15 pikë në grupin 4 të Ligës D të Kombeve, ashtu që me shumë gjasa ndeshjen e ‘play-offit’ do ta zhvillojë si nikoqir. Kundërshtarë të mundshëm të Maqedonisë në ndeshjet gjysmëfinale të Ligës së Kombeve mund të jenë Bjellorusia, apo edhe Kosova.
Foto: gol.mk