Kosova e mbyll me ‘manita’ ndaj Maltës (VIDEO)

Përfaqësuesja e Kosovës fitoren e parë në një ndeshje zyrtare në transfertë e ka arritur me stil, pasi në ndeshjen e parafundit të grupit 3 në Ligën C të Kombeve me rezultatin 5:0 mundi Maltën, njofton ‘infOSport.mk’.

Ishte kjo fitorja më e thellë e ‘dardanëve’ në një ndeshje zyrtare, të cilën e paralajmëroi sulmuesi i Rizespor, Vedat Muriqi. 24-vjeçari shënoi gol në minutën e 15-të, duke vazhduar serinë pozitive, pasi edhe fundjavën që lamë pas pati shënuar për ekipin e tij ndaj Bashakshehir në Superligën turke.

Për dallim nga pjesa e parë që dhuroi vetëm një gol, pjesa e dytë dhuroi plotë 4 gola, ndërsa dy prej tyre (78’, 80’) realizoi sulmuesi në formë Donis Avdijaj, i cili në lojë u inkuadrua vetëm në minutën e 71-të, ndërsa nga një gol tjetër në këtë pjesë shtuan edhe Benjamin Kololli (70’) dhe Milot Rashica (86’), i cili njëherit vendosi edhe rezultatin përfundimtarë të këtij takimi.

 

Me këtë fitore përfaqësuesja e Kosovës ruan pozitën e parë në grup me 11 pikë, dy më shumë se Azerbajxhani, që me rezultatin 2:0 mundi Ishujt Faroe.

Pikërisht azerët janë kundërshtari i rradhës i skuadrës ‘dardane’ me 20 nëntor në Prishtinë, ku përfaqësueses kosovare do i konvenonte edhe një barazim për të siguruar një vend për në ndeshjet gjysmëfinale të Ligës së Kombeve.

Leave a Reply