Përfaqësuesja e Kosovës në futboll sonte do të përballet me Maltën në kuadër të grupit 3 të Ligës ‘D’ të Kombeve.
Vetëm fitorja është në mendjen e futbollistëve kosovar, të cilët kërkojnë që të ruajnë pozitën e parë, me qëllim që sa më të qetë ta presin përballjen e fundit të grupit kundër Azerbajxhanit të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Kosova renditet e para në grup më 8 pikë, e ndjekur nga Azerbajxhani me 6 sosh, ndërsa në pozitën e tretë dhe të katërt janë Ishujt Faroe me 4 pikë, gjegjësisht Malta me vetëm 2 pikë.
Përballja më Maltën, cilësohet si finalja e parë për Kosovën, ndërsa finalja e dytë luhet të martën ndaj Azerbajxhanit, kur edhe përfundimisht do të mësojmë nëse ‘dardanët’ do të ruajnë pozitën e parë në grupin 3.
Ndeshja Malta – Kosova starton në ora 18:00, në të njëjtën kohë kur Azerbajxhani do të zhvillojë ndeshjen tjetër të grupit kundër Ishujve Faroe.