LeBron Xhejms do të mbajë mend gjatë kohë ndeshjen ndaj Portlandit, në të cilën ndihmoi skuadrën e tij Los Anxheles Lejkers të shënojë fitore me rezultatin 127:116. ‘The King’ shënoi 44 pikë dhe tashmë e sheh veten mes 5 shënuesve më të mirë të të gjitha kohërave në kampionatin amerikan të basketbollit me 31425 pikë të shënuar në karrierë duke lënë pas legjendën e këtij kampionati, Vilt Çamberlejn.
Për Portland, Lillard zhvilloi një ndeshje shumë të mirë me 31 pikë dhe 11 asiste, por në fund u desh të dorëzohej përballë mbrëmjes historike të LeBron Xhejms.
Boston nuk hasi në asnjë vështirësi në sfidën me Çikago Bullsin të zhvilluar në ‘TD Garden’. Selltiksat në këtë përballje shënuan fitore me rezultatin 111:82, duke treguar se po rikthehen në formën e tyre optimale.
Broun me 18 pikë, Irving me 17 dhe Tatim me 14 drejtuan Bostonin drejt kësaj fitoreje, ndërsa për ‘Bullsat’, Lavine nuk bëri të njëjtën paraqitje si në ndeshjet e kaluara duke e mbyllur këtë sfidë me vetëm 10 pikë të shënuara dhe kjo duket se pati peshë tek e gjithë skuadra e Çikagos.
Surprizë humbja e Torontos, ekipit që komandon renditjen në Lindje, që u mund me rezultatin e ngushtë 106:104 në parketin e saj nga Detroiti.
Humbja e tretë sezonale për kanadezët, që e udhëhoqën ndeshjen gjatë gjithë kohës (Leonard 26 pikë), madje u shkëputën deri në 18 pikë, por gabuan në fund.
Për Detroit u dallua Griffin me 30 pikë e 12 kërcime.
Humbet edhe Milluoki, skuadra e dytë në Lindje, që ashtu si kanadezët u mund në parketin e vetë 116:113 nga Memfisi, skuadër kjo që drejt fitores e udhëhoqi spanjolli, Mark Gasoll, që realizoi 29 pikë.
Më poshtë keni të gjitha rezultatet e ndeshjeve të zhvilluara orët e para të mëngjesit të sotëm.
NBA – Rezultatet |
Orlando – Philadelphia, 111-106 |
Washington – Cleveland, 119-95 |
Boston – Chicago, 111-82 |
Brooklyn – Miami, 107-120 |
Toronto – Detroit, 104-106 |
Milwaukee – Memphis, 113-116 |
Minnesota – New Orleans, 107-100 |
Oklahoma – New York, 128-103 |
Dallas – Utah Jazz, 118-68 |
Phoenix – San Antonio, 116-96 |
Lakers – Portland, 126-117 |