Klaudio Ranieri, i cili në vitin 2016-të u shpall kampion me Lesterin në Premierligës, është rikthyer sërish në këtë kampionat, kësaj rradhe duke marrë drejtimin e skuadrës së Fulhamit. Strategu italian në postin e trajnerit te skuadra londineze zëvendëson Slavisha Jokanoviç, ndërsa ka qenë vetë presidenti Shahid Khan, ai që ka njoftuar për këtë ndryshim në stolin e skuadrës së tij.
Klubi i Fulhamit e bëri njoftimin e dyfishtë me një postim në faqen e vetë të internetit, të mërkurën në mëngjes, ndërsa lidhur me rikthimin e tij në kampionatin anglez, Ranieri tha: “Është një nder ta pranoj ftesën e zotit Shahid Khan për të udhëhequr Fulhamin, një klub me traditë dhe histori. Objektivi i Fulhamit nuk duhet të jetë thjesht mbijetesa në Premierligë. Ne duhet të jemi në çdo kohë kundërshtar i vështirë për këdo. Pra, presim që të kemi sukses. Fulham ka talentë të jashtëzakonshëm, çka shkon në kundërshtim me pozicionin e tij në klasifikim. E di që kjo skuadër është shumë e aftë për paraqitje më të mira”.
Jokanoviç e udhëhoqi Fulhamin që nga viti 2015-të, ndërsa majin e këtij viti përmes ndeshjeve të ‘play-off’ riktheu Fulhamin në mesin e më të mirëve, aty ku nuk po i ecën mbarë, pasi në 12 xhiro ka marrë vetëm një fitore, duke u renditur vetëm në pozitën e fundit me 5 pikë të tubuara.