Lajm jo i mirë për kampionët në fuqi të vendit në futboll, me Besart Ibraimin që parashihet të ngelet jashtë fushave për një kohë të gjatë. Shkëndija sot përmes një komunikate zyrtare ka njoftuar se Ibraimi dhe braziliani Junior do të mbeten jashtë kombinimit për lojë për shkak të lëndimeve , por pa bërë të ditur datë të rikthimit apo ditë të caktuar se sa do të mungojnë në fushën e gjelbërt.
Mirëpo sipas burimeve të “InfOSport.mk” , të dy futbollistët do të ngelen jashtë fushave deri në fund të këtij gjysmësezoni në LPFM, ndërkohë që nga natyra e lëndimit pritet pauza e Ibraimit të jetë më e gjatë se edhe tre muaj, por ndoshta edhe më shumë. Sigurisht se për momentin është ende herët për të dhënë një parashikim dhe pas ndërhyrjeve do të dihet më saktë se sa kërçovari duhet të pushojë.
Ibraimit i është diagnostifikuar lezion (lëndim i pjesshëm) në ACL (anterior cruciate ligamen-ligamenti i kryqëzuar i përparëm) të gjurit të djathtë, ndërsa Stenio Juniorit do t’i ndërhyhet në meniskun lateral të këmbës së djathtë./InfOSport.mk