Santiago Solari e ka kaluar me suksesin provimin dhe do të jetë trajneri i Realit të Madridit edhe gjatë muajve në vazhdim. I emëruar në krye të Los Blancos si trajner i përkohëshëm, argjentinasi i kaloi me sukses 4 sfidat e tij të para duke regjistruar 4 fitore bindëse mes kampionatit, Championsit dhe Kupës së Mbretit. Në këtë mënyrë sipas prestigjiozes spanjolle “Marka” presidenti Perez ka vendosur të rikonfirmojë Solarin në stolin e Realit pasi argjentinasi në vetëm pak kohë i ka rikthyer buzëqeshjen skuadrës merengues dhe ka rifutur Realin në shinat e duhura me Los Blancos që në La Liga janë vetëm 4 pikë pas Barcelonës kryesuese.
Futbollistët e duan Solarin dhe presidenti Perez ashtu siç bëri me Zinedine Zidane do ta mbajë gjatë në krye të skuadrës argjentinasin. Solari nuk do të konfirmohet vetëm deri në fund të këtij sezoni pasi siç bëjnë të ditura mediat në Spanjë, ai do të firmosë një kontratë të re deri në vitin 2020. Nga skuadra B tek ekipi i parë, tifozët e Realit ëndërrojnë që ish-mesfushori të ndjekë hapat e Zinedine Zidane.