Ish tekniku i Bluve të Londrës italiani Antonio Conte deklaron se nuk do të nisë një aventurë të re profesionale në stolin e madrilenëve të Realit, me të cilin është asociuar gjatë kohëve të fundit. 49-vjeçari, i cili aktualisht është pa një klub, përkatësisht që nga vera, pas largimit nga Stamford Bridge është lakuar shpesh herë si zëvendësuesi i Julen Lopeteguit, post të cilin tanimë e mban argjentiasi Santiago Solari, si trajner i përkohshëm. Por rezultatet e fundit të arritura nga kubi merengeus me Solarin në krye flasin për një trend pozitiv të klubit mbretëror dhe konfirmojnë gjithnjë e më shumë mundësinë e qëndrimit të Solarit të paktën deri në fund të sezonit, me Realin që ka fituar të katërta ndeshjet rradhazi që ka zhvilluar nën drejtimin e teknikut argjentinas. Gjatë një inteviste të fundit Antonio Conte ka zbuluar se pavarësisht interesimit të më shumë se sa një klubi për shërbimet e tij për momentin ai ka vendosur të presë fundin e sezonit për të nisur projektin e ri.
“Real Madrid? Momentalisht mendoj është më mirë që të pres. Qershori besoj se do të jetë muaji i duhur për të nisur një aventurë të re. Pasi një zgjedhje e tillë në mes të sezonit mund të rezultonte e dështuar”.
Conte është përfolur edhe për një rikthim të mundshëm te bardhezinjtë e Juventusit, klub të cilin e drejtoi gjatë sezoneve 2011-2014, duke fituar tre tituj të njëpasnjëshëm të Serisë A, për tu impenjuar më pas më përfaqësuesen italiane. Por sikundër për afrimin e tij tek Los Blancos, Conte hedh poshtë edhe hipotezën për të pasuar Massimiliano Allegrin në Torino, edhe pse e pranon se rikthimi në një prej skudrave italiane do ishte komod për të.
“Më pyesni nëse e çoj nëpër mend për të stërvitur një lojtar si Ronaldo, jo nuk e mendoj një mundësi të tillë. Jam i lumtur me lojtarët që kam stërvitur deri më tani dhe titujt që kam fituar me skuadrat që kam drejtuar. Juventus vijon të rritet si skuadër dhe po bën një punë të jashtëzakonshme në të gjitha aspektet. Sigurisht duke qënë italian dëshiroj të jetoj në vendin tim dhe të vijoj punën time atje, ndaj e shoh të hapur opsionin e rikthimit në Serinë A”.