Pas transferimit të dyshes, Taulant Ismaili dhe Ferid Agushi, ekipi i futsal Prishtinës gjatë ditës së sotme ka prezantuar edhe Dragan Petroviçin, njofton ‘infOSport.mk’. Bëhet fjalë për tre super lojtarë që kanë një karrierë mjaft të bujshme, ndërsa pas tyre kanë edhe shumë ndeshje të forta ndërkombëtare.
Që të tre e njohin mirë edhe futsalin kosovar, pasi në të kaluarën kanë veshur edhe fanellën e Feniksit dhe Besës nga Peja, ndërsa që të tre së bashku këtë edicion do të luajnë me fanellën e Prishtinës, që gjatë kësaj merkatoje ishte mjaft aktive.
Përveç kësaj treshe, Prishtina më herët kishte siguruar edhe shërbimet e 3 lojtarëve shkupjan, Erkan Seferi, Eljesa Neziri dhe Bujar Asani, duke bërë një ekip të tërë me lojtarë nga Maqedonia. Për më tepër 4 prej tyre janë anëtarë të përfaqësueses së Maqedonisë, ndërsa Eljesa Neziri mbron ngjyrat e kombëtares shqiptare.
Prishtina e nisi mjaft mbarë sezonin e ri, ku ka shënuar tre fitore nga po aq ndeshje, duke mos llogaritur këtu ndeshjen ndaj Feniksit, në të cilën pësoi disfatë, për shkak se kjo skuadër vendosi që të largohet nga gara, transmeton ‘infOSport.mk’.
Me këto përforcime Prishtina me siguri se shihet si një ndër favoritët më të mëdhenj për tu kurorëzuar me titullin e kampionit, që njëherit është edhe synimi kryesor i drejtuesve të skuadrës nga kryeqendra kosovare.