Santiago Solari i ka dhënë drejtimin e duhur anijes së Real Madridit. Ai e ka nisur mbarë misionin si trajner i përkohshëm i “mbretërve”, duke marrë një fitore 5:0 në Ligën e Kampionëve, kundër Viktoria Plzen, të mërkurën.
Pas startit me fitore 4:0 ndaj Melilla, në Kupën e Mbretit, Solari e pa skuadrën e tij të triumfonte 2:0 edhe ndaj Valjadolidit në kampionat, para se të bënte ‘manita’ në Plzen. Ky është ndër fillimet më të mira të një trajneri në historinë e klubit galaktik.
Në fakt, i fundit ishte Luis Karnilja, në vitin 1957, si trajner i Real Madridit, që e ka filluar detyrën e tij me tri ndeshje pa pësuar gol dhe tri fitore radhazi. Sigurisht, konkurrenca nuk ka qenë e nivelit më të lartë atëherë, e krahasueshme me epokën e Solarit, apo kohën e kufizuar të këtij të fundit për t’i ndryshuar gjërat.
Në fakt, fitorja 5:0 kundër Viktoria Plzen është më e madhja e arritur ndonjëherë nga një skuadër spanjolle larg fushe, kundër një kundërshtari çek, në garat europiane. Natyrisht, Solari nuk e ka bërë gjithçka vetë. Karim Benzema ka qenë në formë të mirë nën drejtimin e trajnerit të ri, duke shënuar dy gola e rrumbullakosur shifrën e 200 golave në Ligën e Kampionëve të mërkurën.