Për shkak pauzës dy javore që pason për shkak dy ndeshjeve të fundit të përfaqësueses së Maqedonisë në kuadër të Ligës së Kombeve, e gjithë java e 14-të në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë do të zhvillohet të shtunën, dhe jo të dielën siç ka qenë zakon deri më tani.
Federata e Futbollit të Maqedonisë tashmë ka caktuar edhe arbitrat e takimeve, ndërsa derbi i përjetshëm midis FC Shkupit dhe Vardarit në Çair, i është besuar arbitrit shkupjan Dejan Jakimovski. Ndihmës të tij në këtë ndeshje do të jenë Goce Petrevski dhe Daniel Vasilevski, ndërsa dy arbitrat shtesë pranë golit janë Konstantin Vlaho dhe Marjan Mladenovski, që të gjithë nga Shkupi.
Një ndeshje tjetër interesante pritet të zhvillohet në ‘Telekom Arena’, aty ku mejdanin do të ndajnë Rabotniçki dhe Shkëndija. Skuadra kampione në këtë ndeshje udhëton si lider, me shpresë se do të vazhdojë serinë e fitoreve në fazën e dytë të ndeshjeve kampionale, ku dinë vetëm për fitore.
Ky takim i është besuar Marjan Eckoskit nga Ohri, Marjan Goceski do të ndajë drejtësinë në Tetovë në ndeshjen midis Renovës dhe Pobedës, Josip Barton do të jetë kryesori i takimit në Kratovë midis Sileksit dhe Akademia Pandev, ndërkohë ndeshjen në Strumicë midis Bellasicës dhe Makedonija GJ.P do ta drejtojë Marjan Markoski nga Ohri.
Të gjitha ndeshjet e javës së 14-të startojnë në ora 13:00.