Strategu shkupjan i Feronikelit, Zekirija Ramadani, ishte ndarë i zhgënjyer pas disfatës që skuadra e tij e pësoi sot në derbi ndeshjen e javës së 10-të ( e mbetur) përballë Prishtinës.
Feronikeli i tij u mund në shtëpinë e vetë nga Prishtina me rezultatin minimal 1:0, ku vendosi goli i Mario Morinës në minutën e 57-të, ndërsa vetë Ramadani beson se skuadra e tij meritonte të paktën një pikë nga kjo ndeshje.
‘Mendoj se e merituam të paktën një pikë. Por, ky është futbolli. E dinim se kush gabon njëherë, do të realizoj gol dhe mund të fitoj. U munduam që ta shmangim presionin e para ndeshjes, por nuk ia arritëm. I përgëzoj futbollistët për angazhimin në këtë ndeshje’ – tha Ramadani, i cili si një sportist i madh nuk harroi për t’iu uruar fitoren skuadrës kundërshtare: ‘E uroj Prishtinën për këtë fitore, por kampionati është i gjatë. Më e rëndësishmja është se nuk humbëm ndonjë lojtar. Ne tani po mendojmë për ndeshjen e radhës që e kemi gjatë fundjavës me Ferizajin’.
Ferizaji poashtu sot zhvilloi ndeshjen e mbetur të javës së 10-të, duke mundur 2:1 skuadrën e fundit në tabelë, KEK-un.