Sonte dhe nesër në kuadër të Ligës së Kampionëve Europian në program janë ndeshjet e raundit të katërt në grupe.
E marta është e rezervuar për grupet A,B,C dhe D, ndërsa 3 janë sfidat që spikasin më shumë se të tjerat.
Inter-Barcelona në grupin B, Napoli-PSZH në grupin C dhe AtletiKo Madrid-Dortmund në grupin A.
Vëmendja më e madhe do të përqëndrohet padiskutim në “Xhuzepe Meaca” aty ku Interi i Spaletit do të kërkojë të tregojë se mund të thonë fjalën e tyre ndaj çdo kundërshtari, madje edhe ndaj një Barcelone që është disa shkallë më lartë se ‘zikaltërit’ për momentin.
Italianët do të kërkojnë t’i hakmerren Barcelonës për atë humbje 2:0 të dy javëve më parë në “Kamp Nou” ndërkohë që spanjollët do të tentojnë pikët e radhës për të mbyllur edhe matematikisht çështjen e kualifikimit në grupin B.
Pjesë e këtij takimi do të jetë edhe Lionel Messi, i cili mungoi në ndeshjen e parë, megjithatë prania e tij në fushë do të vendoset vetëm në çastet e fundit, ndërsa gjasat më të mëdha janë që 5-herë fituesi i Topit të Artë ta nisë ndeshjen nga stoli. Spaleti në krahun tjetër ndryshe nga ndeshja e parë do të ketë në dispozicion, mesfushorin e tij të palodhshëm, belgun Raxha Naingolan.
Ndeshja tjetër e këtij grupi do të luhet në ‘Uembli, aty ku Totenhami vendas do të mirëpret holandezët e PSV Ajndhoven.
Në grupin C, Edinson Kavani do të sfidojë ish skuadrën e tij Napolin në ‘San Paolo’ në një sfidë ku PSZH do të mësojë shumë rreth vazhdimësisë së saj në këtë edicion të Ligës së Kampionëve. Aktivizimi i ‘El Matador’ është gjithsesi në pikëpyetje pasi vjen nga një dëmtim ndërkohë që në dispozicion të Tuçel për herë të parë në këtë sezon në një ndeshje të Ligës së Kampionëve do të jetë edhe portieri Bufon, i cili e ka shlyer skualfikimin prej 3 ndeshjesh.
Një fitore e Napolit sonte mund t’u jepte një goditje të rëndë shpresave të PSZH-së për të avancuar në fazën tjetër.
Transfertë e nxehtë edhe për Liverpullin që do të sfidojë Crvena Zvezdën në Beograd, aty ku nuk do të marrë pjesë edhe futbollisti shqiptarë, Xherdan Shaqiri.
Në grupin A, Atletiko e Madridit do të kërkojë revanshin ndaj Dortmundit për atë humbje 3:0 të dy javëve më parë edhe pse misioni do të jetë shumë i vështirë për ‘jorganxhinjët’, duke parë formën momentale të skuadrës gjermane, e cila plotë 15 ndeshje me rradhë nuk dinë për disfatë në të gjitha kompeticionet e këtij sezoni.
Në sfidën tjetër që luhet në orën 18:55 Monako që ndodhet në një krizë të thellë të rezultateve do të mirëpret belgët e Klub Bryzh, në një sfidë të drejtëpërdrejtë për vendin e 3-të.
Përsa i përket grupit D, Porto do të tentojë edhe fitoren e dytë ndaj Lokomotivës së Moskës për të mbyllur çështjen e kualfikimit, ndërsa një sfidë direkte për të avancuar më tej është ajo mes Shalke 04 dhe Galatasarajit që do të zhvillohet në Gelzenkirshen. Sfida e parë në ‘Turk Telekom’ në Stamboll ishte mbyllur me barazim pa gola.