Një ndeshje të çmendur kanë zhvilluar Udineze dhe Milani në ‘Daçia Stadium’, ndeshje kjo që zgjati plotë 100 minuta, ndërsa ‘rossonerët’ golin e fitores e shënuan në minutën e 96-të.
Ishte sërish kapiteni Romanjoli heroi i Milanit në këtë ndeshje, njëjtë sikurse 4 ditë më parë ndaj Xhenoas, kur shënoi në minutat shtesë.
Sonte ndaj Udinezes ‘kuqezinjtë’ kishin më shumë nga loja, krijonin më shumë raste, ndërsa e gjithë kjo iu pagua atyre fare në fund, kur të gjithë shpërthyen në festë, edhe pse për një çast të gjitha zemrat e milanezëve të vërtetë u ndalën, kur ndihmës arbitri kishte ngritur flamurin lartë, duke treguar pozitë jashtë loje, mirëpo ishte sistemi VAR ai që veproi me të drejtë dhe tregoi në qendër të fushës.
Në fund festë e çmendur e ‘kuqezinjëve’, të cilët me këtë fitore sërish rikthehen në pozitën e katërt me 21 pikë, po aq sa ka edhe Lacio e shqiptarëve në pozitën e 5-të.