Struga Trim Lum, një ndër skuadrat pretendente që sezonin e ardhshëm të luaj në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë pas ndarjes me trajnerin e deritanishëm, Aleksandar Tançeski, është duke menduar rreth trajnerit të ri, që do i udhëhiqte ata në vazhdim të kampionatit.
Burime pranë ‘infOSport.mk’ bëjnë me dije se drejtuesit e Struga Trim Lum janë në bisedime e sipër me ish trajnerin e Shkëndijës, Jeton Beqiri, i cili së fundmi drejtonte Renovën. Struga Trim Lum e nisi sezonin me trajnerin Aleksandar Tançeski, i cili u shkarkua të martën, ndërsa në ndeshjen e së shtunës ndaj Teteksit skuadrën e udhëhoqi ndihmësi i tij, Meriton Gega.
Beqiri skuadrën e Shkëndijës e kishte udhëhequr në dy raste, (një herë pasi u shkarkua Ardian Kozniku dhe së dyti pas largimit të Bruno Akrapoviçit) kur në të dyja rastet grumbulloi më shumë pikë se Vardari për ndeshjet që drejtoi ekipin.
Ai gjatë karrierës së tij kishte drejtuar edhe ekipin U19 të Shkëndijës, Dritën e Bogovinës dhe Gostivarin, ndërsa gjithashtu kishte luajtur rolin e ndihmës trajnerit të Shpëtim Duros në dy periudha të ndryshme te Shkëndija, por gjithashtu edhe te Flamurtari i Vlorës.
Beqiri siç bëjnë të ditur burime pranë ‘infOSport.mk’ te Struga Trim Lum pritet të prezantohet gjatë ditës së nesërme, ndërsa debutimin e tij do të bënte ndaj Pelisterit të dielën që vjen.
Rikujtojmë dje Struga Trim Lum në transfertën në Tetovë barazoi 1:1 ndaj Struga Trim Lum, me ç’rast humbi pozitën e parë në Ligën e Dytë – Perëndim, që tashmë mbahet nga ekipi tjetër strugan, Labunishta, që sot në ndeshjen e fundit të javës së 12-të mundi Skopjen me rezultatin 2:0.