Ylli i Atletiko Madridit dhe i kombëtares së Francës, Antuan Grizman, e pranon se ëndërron ta fitojë “Topin e Artë”.
27-vjeçari është përsëri kandidat për çmimin prestigjioz individual këtë vit, pasi fitoi Kupën e Botës me Francën dhe udhëhoqi Atletiko Madridin drejt trofeut në Liga Europa.
Francezi, i cili përfundoi i treti, pas Kristiano Ronaldos dhe Lionel Messit në vitin 2016, nuk ka asnjë hezitim në synimin e tij për ta fituar çmimin individual. “
‘Unë nuk kam frikë ta them këtë, ëndërroj ta fitoj ‘Topin e Artë’ dhe Ligën e Kampionëve, pasi triumfova në Kupën e Botës’, – tha Grizman për ESPN FC.
‘Në fakt, unë ëndërroj për shumë gjëra. Endërroj të kem tre fëmijë. Janë këto ëndrra, që të motivojnë kur zgjohesh çdo mëngjes. Pra, falë ëndrrave, ju keni qëllime për të arritur ne karrierë dhe jetë” – u shpreh francezi.
Pasi fitoi çmimin e lojtarit më të mirë të FIFA-s në shtator, mesfushori i Real Madridit dhe Kroacisë, Luka Modriç, është favorit dhe për “Topin e Artë”. Por, Grizman ka gëzuar një tjetër vit të mirë, duke përfshirë 29 gola të shënuar për Atletiko Madridin gjatë sezonit 2017-2018.
Kampioni i Botës me Francën beson se “Topi i Artë” është nderimi më i madh individual: ‘Në nivel personal, ky është çmimi më i lartë që mund të merrni. Është çmimi më historik, më prestigjioz, por unë, gjithashtu, jam një lojtar që mendoj kolektivisht, para se individualisht. Por, do të ishte mirë për mua, për shkak të gjithçkaje që kam kaluar, veçanërisht pasi jam ndarë nga familja ime në moshën 3-vjeçare’.